Abdixhiku: Qytetarët nuk e meritojnë këtë skenë politike

Abdixhiku e quan të padrejtë izolimin e qytetarëve për shkak të kësaj elite politike

Kosovës i duhet reformim i të gjitha partive aktuale politike pa përjashtim, pasi që fatkeqësisht ato nuk dinë të bëjnë diçka tjetër, përveç populizmit, i cili është karta e tyre e shitjes së vlerës politike. Ky koalicion qeverisës duhet t’i kryej temat si demarkacioni dhe t’i mundësojë qytetarëve lëvizje të lirë, përndryshe duhet të shkohet në zgjedhe të reja.

Kështu pohon në një intervistë për KosovaPress, drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, sipas të cilit zgjidhja e Kosovës, është demokratizimi i partive aktuale, pasi që asnjëra nga to nuk ka demokraci të plotë.

Abdixhiku e quan të padrejtë izolimin e qytetarëve për shkak të kësaj elite politike, e cila është e paaftë t’i adresojë problemet e tyre dhe vazhdon t’i mbajë qytetarët e izoluar.

“Qytetarët nuk e meritojnë këtë skenë, këtë ambient politik në Kosovë. Pra është ambient i ngarkuar, konsumues dhe pa zgjidhje e alternativë. Sepse në fund të ditës edhe demarkacioni edhe ushtria edhe asociacioni,  do të duhej të ishin tema shumë të thjeshta, teknike.. Në esencë Kosova do të duhej t’i zgjidhte këto probleme për pak muaj, pa bërë telashe të mëdha politike, pa bërë Show politik në Kosovë dhe t’i kthehej problemeve bazike, të shëndetësisë, arsimit e të punësimit”, tha ai..

E sa i përket zhvillimit ekonomik në vend, Abdixhiku thotë se me këtë trend të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen edhe 32 vite për të arritur nivelin e Kroacisë dhe 70 vite për të arritur mesataren e një vendi të Bashkimit Evropian.

“Përgjatë dy vite e gjysmë të fundit, çështjet politike e kanë eklipsu, çështjet ekonomike në vend. Pra më tepër është marrë me tema madhore politike se sa me problemet ekonomike të një familje mesatare.. Rritja ekonomike, vazhdon të sillet në numra përafërsisht të njëjtë me vitet paraprake. Të dhënat zyrtare të BB-së dhe FMN-së tregojnë në mesatare gjatë këtyre dy vite e gjysmë , rritje ekonomike prej 3.9 për qind. Unë gjithmonë kam thënë se për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike në Kosovë dhe për të krijuar vende të reja të punës, për këtë fluks të madh të papunëve në Kosovë, neve na duhet rritje ekonomike tetë deri në 10 për qind. Prandaj secili trend në përgjysmim të këtij numri 8 deri 10 për qind,  nuk jep një ritëm të shpejtë të zhvillimit ekonomik. Pra me këtë ritëm siç kam thënë në vazhdimësi, Kosovës do t’i duhen diku rreth 32 vite për të arritur Kroacinë, i duhe n diku rreth 70 vite për të arritur një mesatare të një vendi të BE-së”, tha ai.

Ai thotë se problemet bazike të qytetarëve, siç është punësimi, standardi i jetesës, përkujdesi shëndetësor, edukimi më i mirë, kanë mbetur në stad pothuajse të njëjtë dhe se ndër problemet më të mëdha në vend, mbetet papunësia. E sa i përket investimeve të jashtme, ai thotë se nuk ka ndonjë zhvillim radikal dhe se korrupsioni dhe burokracia, mbeten ndër problemet kryesore, që i trembin investitorët e huaj potencial./21Media

 

Back to top button