Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari është vetë liria

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e Epopesë së UÇK-së. Me të ishin edhe bashkëpunëtorët e tij.

Nga Prekazi, Abdixhiku tha se sakrifica e familjes Jashari është vetë liria.

“Sot bëjmë nderime në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke nderuar sakrificën e madhe sublime të familjes Jashari, të komandantit legjendar, Adem Jashari si një sakrificë përkujtimore të vet lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë. Qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e tyre atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja e tyre sot, si familje, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë neve në rrugën përpara”, u shpreh Abdixhiku.

Back to top button