Abdixhiku: Si të mos gjunjëzohen 200 mijë familje kosovare 7 ditë nga sot?
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për shtrenjtimin e energjisë elektrike tha se pyetja e vetme që duhet të bëhet është, “Si të mos gjunjëzohen 200 mijë familje kosovare 7 ditë nga sot?”.
“Çështja që duhet ngritur është, sikur të reagonit me kohë a do të ishte kjo shumë më e vogël se që është sot?! Natyrisht, praktikat e vendeve tjera na tregojnë që po, atëherë kush duhet të mbajë përgjegjësi për milionat e djegura?! Dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe për një euro e le miliona. A mund ta paguajnë qytetarët tonë këtë dëm? Sot Kryeministri ka vetëm një pyetje për të bërë, si të mos gjunjëzohen 200 mijë familje kosovare shtatë ditë nga sot?!”, tha Abdixhiku.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, në të cilin thuhet se do të këtë rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatorë energji elektrike në muaj. Këtë propozim nuk e kanë mirëpritur bizneset, duke thënë se energjia po u shkakton humbje të mëdha.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.
Qeveria të premten ka ndarë 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike./21Media