Abdixhiku: Sot për herë të tretë u konfirmua fitorja e LDK-së në Dragash
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas publikimit të rezultateve për kryetar të Dragashit.
Ai ka thënë se sot, për herë të tretë u konfirmua fitorja e LDK-së në komunën e Dragashit.
“Votimi i 17 tetorit, i 14 nëntorit dhe rivotimi i mërgatës i finalizuar sonte me 14 dhjetor, rikonfirmuan tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin tonë, Bexhet Xheladini. Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Për më tepër, Abdixhiku thotë se LDK përfundoj ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me 8 komuna të fituara.
“Xheladini i bashkohet të shtatë kryetarëve tanë të tjerë në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim. Dragash urime! Doktor, ju priftë e mbara”, ka thënë ai.
Ndryshe, në QNR sonte ka përfunduar numërimi i votave me postë nga diaspora për balotazhin për kryetar të Dragashit. Kandidati i LDK-së Bexhet Xheladini ka marrë 470 vota, dukshëm më shumë se kandidati i PDK-së Shaban Shabani. Ky i fundit ka marrë 173 vota.
Votimi përmes postës ka filluar më 29 nëntor dhe ka përfunduar më 13 dhjetor.
KQZ-ja ka pranuar 380 pako të supozuara me fletëvotime, me 696 zarfe të individualizuara, që pas numërimit janë pranuar 647 pako me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 49 zarfe pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.
Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në Dragash. Pas numërimit të tyre i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK-ja, ndërsa me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.