Abdixhiku – Troccaz-it: Nuk mbështesim praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues

Lideri i  Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz dhe ambasadorin francez Olivier Guerot.

Pas takimit Abdixhiku njoftoi  se ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, përfshirë situatën me kuvendin.

“Gjatë bisedës sonë diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, veçanërisht sfidat me të cilat po përballet Kosova – nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste – si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj gjendjeje. Theksova qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit. Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Më tej njoftoi se Truccaz-it i shprehu mirënjohje për mbështjetjen e Francës ndaj Kosovës.

“Në fund, shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe për rolin e rëndësishëm të saj në mbështetjen e integrimit evropian të vendit tonë.”,  përfundoi Abdixhiku./21Media

Back to top button