Abdixhiku: Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rruga e Kosovës është e humbur tashmë dhe se vendi ka nevojë për një rrugë të re, një rrugë të cilën ai e ka quajtur si “të tretë”.
Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të enjten, LDK-ja zhvilloi takimin e tretë konsultativ me profesorë universitarë e diplomatë në kuadër të “rrugës së re, pa Kurtin në të”.
Abdixhiku në Facebook e ka dënuar dhunën e shfaqur në Kuvend gjatë ditës së sotme mes deputetëve të PDK-së e VV-së e kabinetit qeveritar.
“Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet. Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri”, ka shkruar Abdixhiku.
LDK-ja, siç thotë kryetari i saj, e refuzon këtë qasje si mjet. Por, Abdixhiku ka shtuar se partia që udhëheq “refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit”.
“Dhe jemi krenarë për këtë. Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik”, ka shkruar tutje ai.
“Prandaj sot vazhdova këtë rrugë. Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, zhvillova takimin e tretë konsultativ, këtë herë me profesorë universitarë e me diplomatë. Mes diskutimeve përmbajtësore për udhëkryqin historik të Republikës dhe nevojën e ndërtimit të masës kritike, gjetëm ide e pikëpamje fundamentale për nismën tonë. Ky vend, ky shtet, kjo shoqëri ka nevojë për zgjim kolektiv, e vendosje të binarëve euroatlantik. Ju ftoj në këtë rrugëtim!”, vijon shkrimi i Abdixhikut.
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA