Abrashi: Do të diskutojmë me gjithë deputetët që “nuk e kanë humbur arsyen”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se po vazhdon “bojkoti e sapotazhi opozitar në Kuvendin e Kosovës”.

Ai ka thënë se po presin nga Gjykata Kushtetuese të sqarohet çështja e votimit të fshehtë e po ashtu edhe vendimi për “manipulimin e votave nga diaspora nga LDK-ja”.

Abrashi ka thënë se me Nismën Socialdemokrate ka diskutime për të gjitha temat. Ai ka thënë se do të vazhdohet të diskutohet me deputetë shqiptarë të gjitha subjekteve politike “që nuk e kanë humbur arsyen”.

Deputeti i VV-së ka mohuar se deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës u janë ofruar privilegje për të votuar për propozimin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, që është Albulena Haxhiu.

“Konsideroj se kolegët tanë nga LDK-ja nuk e kanë nevojë të sajojnë storie të tilla të paqëndrueshme. Mundohen të mbulojnë pafuqinë e tyre që të bindin me zor deputetët të qëndrojnë brenda një vendimi absurd. E di se LDK-ja ka zëra të arsyes. Po abuzohet lojaliteti i deputetëve ndaj subjektit. Kjo nuk zgjat pafundësisht”, tha ai.

Ai ka treguar se ka bisedime edhe me deputetë nga radhët e PDK-së.

“Sot më herët kam folur me dy a tre. Nuk është diçka e fshehtë”, tha Abrashi.

Back to top button