Abrashi: Ndërkombëtarët janë mësuar që Kosova duhet të lëshojë pe e para, por tani ka ndryshim të rendit

(Lajm i përditësuar)
Artan Abrashi flet për kërkesat e Kosovës për vazhdimin e dialogut
“Policët e Kosovës të rrëmbyer në mënyrë të kundërligjshme, në formë kriminale nga forcat speciale serbe, të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht, dhe e dyta duhet të tërhiqen të gjithë pjesëtarët e bandave kriminale e të ekstremit të djathtë të cilët kanë ardhur me udhëzime të Serbisë për ta tensionuar situatën në veri dhe pastaj ne mund të flasim për një proces normal ku mund të shkojmë të diskutojmë për vazhdimin e këtij dialogu”, ka thënë për emisionin “Click” të RTV21 deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.
Ai tutje ka thënë se objektivisht është bërë e pamundshme që ky proces të vazhdojë “thuajse s’ka ndodhur asgjë”.
I pyetur se a do të shkojnë Albin Kurti në dialog në Bruksel siç ka kërkuar përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Abrashi ka thënë se “kryeministri Kurti është i gatshëm që në çdo kohë dhe në çdo vend të ulet të diskutojë për problemet që ekzistojnë, përpjekja për më e paraqitë Kosovën si planprishëse në krejt këtë proces dhe si palë e cila nuk dëshiron të ulet të diskutojë në mënyrë të civilizuar për probleme është e kot dhe e paqëndrueshme, natyrisht se ky vullnet ekziston, natyrisht se kryeministri Kurti ka theksuar dhe thekson çdo ditë të lume që është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë, mirëpo jo në qasjen dhe në formën si është bërë deri tani”.
Abrashi ka thënë se kërkesa e tyre është që Kosova të trajtohet si palë e barabartë me Serbinë në dialog.
A është shtrirë sovraniteti në çdo pjesë të Kosovës, tregon deputeti i VV-së
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi tha se shtrirja e sovraniteti të Kosovës është përpjeke e vazhdueshme e Qeverisë. Megjithatë, ai tha se veriu është një çështje e komplikuar.
“Krejt çka duhet është angazhim dhe vullnet serioz i nivelit qendror në Prishtinë. Ka qenë pothuajse e paimagjinueshme deri më tani që krerët e bandava kriminale të jenë llogaridhënës para ligjit të Republikës së Kosovës dhe tre prej tyre përfshirë edhe udhëheqësin e mbrojtjes civile ndodhet i prangosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë”, tha ai.
Ai tutje theksoi se shtrirja e sovranitetit është i mundshëm, ani pse siç tha Abrashi nuk është e lehtë.
Abrashi: Ndërkombëtarët janë mësuar që Kosova duhet të lëshojë pe e para, por tani ka ndryshim të rendit
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi tha se në tavolinën e dialogut çdo kryeministër ka për detyrë t’i paraqesë kërkesat dhe interesat e Kosovës dhe kjo sipas tij nuk ka ndodhë deri më tani nga qeveritë e kaluara.
Ai këtë të martë në emisionin “Click” tha se deri më tani nuk është dialoguar në Bruksel, por sipas tij janë sjellur veç dëme.
“Deri më tani nuk është dialoguer në Bruksel, deri më tani ka pasur konsesione të cilat kanë sjellur dëme të pariparueshme. Dhe kjo ka sjellur që Bashkësia Ndërkombëtare ta konsiderojë palën e Kosovës çdoherë ajo që duhet të lëshojë pe e para. Dhe kjo është arsyeja pse në Kosovë rëndon presioni më i madh ndërkombëtar dhe jo mbi palën serbe, sepse ashtu janë mësuar. Por tash ka ndryshim të rendit dhe gjerave”, tha Abrashi./21Media