Adelina Ismaili mungon në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, munguan në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.
Lajmin për kallxo.com e konfirmoi avokatja Kosovare Kelmendi.
“Sot nuk vijnë ato dëshmitare me dëshmu”, tha Kelmendi.
Adelina Ismaili së bashku me dy motrat Ema dhe Zanfina Ismailin janë ftuar nga Gjykata e Prishtinës për të dhënë dëshmi lidhur me këtë çështje penale.
“Janë ftuar në seancën e fundit, për të dhënë dëshmi sot”, deklaroi avokatja Kelmendi.
Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.
Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.
Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vjet burg.
Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim./kallxo
 

Back to top button