Adnan Rrustemi pritet të jetë kandidat i LVV-së për kryetar të Lipjanit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi pritet të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjanit. Ai për Kp ka pranuar se ka dorëzuar kandidaturën në struktura të partisë për t’ia mësyrë garës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Rrustemi ka thënë se s’ka kundër kandidatë të brendshëm në këtë proces, derisa ka theksuar se ndryshimi që ka ndodhur më 14 shkurt duhet të zbërthehet edhe në nivelin lokal.
“Sa i përket kandidaturës, është e mundur, por ende jemi në fazat e procesit të zgjedhjeve të brendshme, nuk është përmbyllur. Shpresoj që shumë shpejtë të përmbyllet ky proces i brendshëm i zgjedhjeve të kandidaturave[…]Sa i përket Lipjanit me sa di s’ka kandidatë tjetër”, ka deklaruar ai.
Megjithëse s’e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se është duke punuar për shtrirjen e Lëvizjes në çdo lagje dhe fshat të Lipjanit, për ta mundësuar, siç pretendon ndryshimin në zgjedhje lokale.
“ Unë jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pranojë çdo detyrë dhe përgjegjësi që më kërkohet dhe ofrohet nga aktivistët dhe organizata. Aktualisht jam koordinator i qendrës në Lipjan dhe po punojmë për riorganizimin tonë atje duke u shtrirë në çdo fshat dhe lagje. Gjithnjë duke u përgatitur për zgjedhjet lokale të 17 tetorit[…]Nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përcaktohet për kandidaturën time, natyrisht do t’i përkushtohemi fushatës dhe qeverisjes në Lipjan për të mundësuar që ndryshimi që ka ndodhur më 14 shkurt në Kosovë të zbërthehet edhe në nivel lokal”, ka shtuar Rrustemi.
Derisa partitë tjera kanë zyrtarizuar shumicën prej kandidatëve për kryetar të komunave, Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që s’ka bërë një gjë të tillë. Sipas tyre, ndër arsyet janë edhe procedurat më të stërzgjatura për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar të komunave./kp

Back to top button