Aeroporti i Hatay në Turqi rifillon punën pas tërmetit vdekjeprurës

Aeroporti turk i Hatajit, i cili ndodhet në një nga provincat më të goditura nga tërmeti katastrofik i së hënës, ka rifilluar funksionimin, tha të dielën Ministria turke e Transportit.
“Ne e riparuam shpejt dëmtimin në pistën e aeroportit Hatay. Aeroporti ynë filloi të funksionojë sot”, tha Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë në faqen e saj zyrtare në Twitter, duke shpërndarë imazhe para dhe pas të pistës së aeroportit, e cila u dëmtua rëndë pas tërmetit 7.8 ballë dhe u konsiderua “e papërdorshme” nga zyrtarët.
Sipas operatorit IGA Istanbul Airport, punimet e riparimit filluan më 8 shkurt dhe zgjatën 96 orë.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Teknike të Aeroportit të Stambollit, Fırat Emsen, deklaroi se ekipet e ndërtimit dhe teknike punuan pa ndërprerje për 4 ditë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Turqisë, Anadolu.
Aeroporti pritet të luajë një rol jetik në shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmës logjistike që u dërgua në zonën e fatkeqësisë, duke siguruar që ndihma t’u dërgohet viktimave të tërmetit në Hatay dhe provincat përreth, raportoi Anadolu.
Emsen tha se ishte “kritike” që aeroporti të funksiononte përsëri, sipas agjencisë së lajmeve.
Aeroporti ndodhet midis Antakias dhe Iskenderun, dy qytete të prekura rëndë nga tërmeti./21Media

Back to top button