Afrikanët e uritur janë viktima të konfliktit, i tha Macky Sall Vladimir Putinit

Vendet afrikane janë viktima të pafajshme të luftës në Ukrainë dhe Rusia duhet të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve të tyre, i tha kreu i Bashkimit Afrikan, Vladimir Putit në një takim në Rusi.
Pas bisedimeve në Sochi, Macky Sall tha se udhëheqësi rus kishte premtuar të lehtësonte eksportin e drithërave dhe plehrave, por nuk dha detaje.
Putin mohoi se Moska po i pengonte portet ukrainase të eksportonin grurë.
Mbi 40% e grurit të konsumuar në Afrikë zakonisht vjen nga Rusia dhe Ukraina.
Por, portet e Ukrainës në Detin e Zi janë bllokuar kryesisht për eksporte që nga fillimi i konfliktit. Kievi dhe aleatët e tij kanë fajësuar Moskën për bllokimin e porteve.
Koordinatori për krizë i OKB-së Amin Awad tha se mungesa e grurit mund të prekë 1.4 miliardë njerëz dhe të shkaktojë migrim masiv.
Lufta ka përkeqësuar mungesat tashmë ekzistuese në Afrikë të shkaktuara nga korrjet e këqija dhe pasiguria.
Çmimet e ushqimeve janë rritur në të gjithë kontinentin që kur rusët kanë filluar luftën në Ukrainë 100 ditë më parë, duke shtyrë një numër të madh drejt urisë.
Çadi ka shpallur një emergjencë kombëtare ushqimore. Një e treta e popullsisë ka nevojë për ndihmë ushqimore, sipas OKB-së dhe qeveria ka apeluar për ndihmë ndërkombëtare, shkruan BBC
Sall, i cili është presidenti i Senegalit, i tha Putinit se ai duhet të jetë “i vetëdijshëm se vendet tona, edhe nëse janë larg teatrit [të veprimit], janë viktima të kësaj krize ekonomike”.
Ai tha se po lutej gjithashtu në emër të vendeve të tjera në Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.
Putin tha se Rusia ishte e gatshme të garantonte eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet porteve në Azov dhe Detet e Zi që ajo kontrollon. Ai tha se zgjidhja më e mirë do të ishte heqja e sanksioneve ndaj Bjellorusisë, një aleat i ngushtë rus, në mënyrë që drithi të mund të dërgohej në atë mënyrë.
Disa analistë argumentojnë se Kremlini shpreson se një krizë ushqimore e afërt do të ushtrojë presion politik mbi Perëndimin duke provokuar flukse të reja të mëdha refugjatësh drejt Evropës nga vendet e pasigurta ushqimore në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Përpara takimit të së premtes, Putin tha se ishte gjithmonë në anën e Afrikës, por nuk e përmendi krizën ushqimore të kontinentit.
Ashtu si shumë vende afrikane, Senegali ka shmangur marrjen e anëve në konflikt dhe udhëheqësi senegalez tha gjithashtu se furnizimet me ushqime duhet të jenë “jashtë” sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Ai tha se e kishte theksuar këtë pikë kur foli me Këshillin Evropian në fillim të javës.
Të premten e kaluar, Presidenti amerikan, Joe Biden hodhi poshtë idenë se Perëndimi mbante përgjegjësinë për rritjen e çmimeve globale./21Media

Back to top button