Afro 40 të vdekur e 115 të lënduar nga zjarri në Crans-Montana të Zvicrës

Afro 40 persona kanë humbur jetën e 115 janë lënduar pasi një zjarr shpërtheu në një bar në resortin alpin Crans-Montana në Zvicër në orët e hershme të së enjtes. Zjarri shpërtheu rreth orës 2 pas mesnatës, raporton “BBC”.

Komandanti i Policisë kantonale të Valaisit, Frederic Gisler, ka treguar se disa prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.

“Rreth 40 persona kanë vdekur dhe të paktën 115 janë lënduar, shumë prej tyre rëndë”, ka thënë Gisler në konferencë për media.

Ai tha se prioritet gjatë ditëve në vijim është identifikimi i viktimave në mënyrë “që trupat e tyre të kthehen sa më shpejt” te familjet e tyre.

Ai tha se pret disa shtetas të huaj të jenë në mesin e viktimave.

E prokurorja e përgjithshme Beatrice Pilloud, ka thënë se janë “disa hipoteza” për shkaqet e zjarrit. Ajo tha se janë intervistuar shumë dëshmitarë dhe do të analizohen telefonat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ajo tha se s’ka të arrestuar apo të dyshuar dhe se nuk ishte “akt i qëllimshëm”.

Institutit të Forenzikës në Cyrih i është dhënë mandati për të kryer hetimet e për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, tha ajo.

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka quajtur ngjarjen e të enjtes si “një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar Zvicra”.

Parmelin ka falënderuar vendet që kanë ofruar mbështetje pas zjarrit, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Ai tha se po vendosen komunikime përmes ministrive të jashtme me familjet e viktimave të huaja.

Parmelin ka thënë se flamujt e Zvicrës do të ulen në gjysmë shtizë për pesë ditë, pas tragjedisë së rëndë.

Rreth 40 të vdekur nga zjarri në Zvicër

Një zjarr shpërtheu gjatë festimeve të Vitit të Ri në një bar në resorte alpine të Zvicrës, vetëm pak më pak se dy orë pas mesnatës të enjten, duke lënë të paktën disa dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të tjerë të plagosur, shumica rëndë, thanë policia.

BBC ka njoftuar se janë rreth 40 të vdekur.

Resorti Crans-Montana, i njohur ndërkombëtarisht për ski dhe golf, u shndërrua nga një skenë feste në vendin e një prej tragjedive më të rënda të Zvicrës, pasi barin Le Constellation u përfshi nga flakët.

“Disa dhjetëra persona” humbën jetën në bar, tha komandanti i policisë së kantonit Valais, Frédéric Gisler, në një konferencë për media. Punimet për identifikimin e viktimave dhe njoftimin e familjeve janë duke vazhduar, por sipas tij kjo do të marrë kohë, dhe për momentin është herët për të dhënë një shifër më të saktë. Ai shtoi se komuniteti është “i shkatërruar”.

Prokurorja e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, tha se është ende shumë herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, pasi ekspertët nuk kanë mundur ende të hyjnë brenda rrënojave. “Në asnjë moment nuk ka dyshim për ndonjë sulm,” tha ajo.

Dëshmitarët përshkruan panik dhe përpjekje dramatike për t’u shpëtuar nga flakët. Një nga gratë tha për BFMTV se pamë barmanin që mbante një kamariere mbi supet e tij, ndërsa ajo mbante një qiri të ndezur në një shishe që shkaktoi zjarrin në tavanin prej druri. Flakët u përhapën shpejt, duke shembur tavanin. Të tjerët thanë se njerëzit u përplasën ndërsa përpiqeshin të dilnin nga klubi në katin e poshtëm, duke thyer dritaret për të shpëtuar nga zjarri.

Zjarri shkaktoi shpërthime të gazrave djegës dhe një efekt të fuqishëm të njohur nga zjarrfikësit si “flashover” ose “backdraft”. “Kjo mbrëmje duhej të ishte një moment feste dhe bashkimi, por u shndërrua në një makth,” tha Mathias Rénard, kreu i qeverisë rajonale.

Numri i të plagosurve ishte aq i madh sa njësitë e kujdesit intensiv dhe sallat e operacionit në spitalin rajonal arritën kapacitetin maksimal.

Zjarri fatal në një resort skijimi në Zvicër përbën një “humbje tragjike”, ka thënë Guy Parmelin, president i Konfederatës Zvicerane, duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre.

“Çfarë duhej të ishte një festë e gëzueshme në ditën e parë të vitit në Crans-Montana është shndërruar në një humbje tragjike që prek gjithë vendin dhe më gjerë,” shkroi Parmelin në një deklaratë në X (ish-Twitter).

“Këshilli Federal është thellësisht i tronditur nga kjo tragjedi e tmerrshme,” shtoi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave pas zjarrit fatal në Crans-Montana gjatë festimeve të Vitit të Ri.

“Mendimet e mia janë me familjet e të afërmve dhe me të plagosurit,” tha Macron në një postim në X (ish-Twitter).

“Për Zvicrën, për popullin e saj dhe për autoritetet, u shpreh solidaritetin e plotë të Francës dhe mbështetjen tonë vëllazërore,” shtoi ai.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Francës njoftoi se dy shtetas francezë ishin mes të plagosurve dhe u morën “menjëherë në kujdes nga shërbimet emergjente”. Ekipet konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane në rast se persona të tjerë francezë janë prekur nga tragjedia.

Back to top button