Afro 771 mijë të vaksinuar me dozën e dytë antiCOVID

Vetëm gjatë të premtes në Kosovë janë dhënë 3 mijë e 991 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Ndërsa prej fillimit të procesit të vaksinimit e deri tani janë dhënë 1 milion e 640 mijë e 380 doza të vaksinës. Kurse 770 mijë e 941 qytetarë janë vaksinuar dhe me dozën e dytë antiCOVID-19. Kështu bëhet e ditur në raportin e fundi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Dy ditë më parë ka filluar edhe vaksinimi me dozën përforcuese dhe dozën e tretë antiCOVID-19.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë. Ndërsa, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura. Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike.

Ndërkohë që në raportin e fundit, IKShPK njoftoi edhe për një vdekje dhe 7 raste të reja me COVID-19.
E aktualisht në vend janë 328 raste aktive me COVID-19./21Media

Back to top button