Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë së Martin Berishaj
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit, Martin Berishaj.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj.
“Po, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj.”, ka thënë ai.
Buleshkaj ka thënë se do të përpiqen ta përfundojnë procesin sa më shpejt.
“Deri në gjashtë muaj thotë ligji, ne më shpejt besoj”, ka shtuar ai.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka qenë në qendër të një raportimi për një skandal të madh në Slloveni në të cilën thuhej se ka transportuar 600 mijë euro para të gatshme nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob. Por, Berishaj ka mohuar të ketë gisht në këtë skandal duke thënë se do të padisë portalin slloven që e ka publikuar. /21Media./21Media