Agjenda e reformave, Kurti: Kosova mund t’i përfitojë 882 milionë euro nga BE

Qeveria e Kosovës ka miratuar agjendën e reformave të Kosovës në kuadër të instrumentit të BE-së për reforma dhe rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Si rezultat i këtij plani u tha se Kosova mund t’i përfitojë deri në 882 milionë euro si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për rajonin.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe Projektligjin për shërbimet e pagesa, u dakorduan që në mbledhjen e radhës t’i ndajnë 200 mijë euro Bosnjës pas vërshimeve si dhe ndanë rreth 58 mijë euro për 22 specializant me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ndërkaq emëruan Besim Kamberaj, sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Kryeministri Albin Kurti tha se zbatimi i planit në kuadër të reformave të Kosovës është prioritet i veçantë i ekzekutivit.
“Si rezultat i këtij plani, bazuar në zbatimin e reformës së darkoduar me Komisionin Evropian, Kosova mund t’i përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro. Afër 30 për qind e kësaj shume janë grante, më saktë 253 milionë euro, derisa 75 për qind janë hua afatgjate më saktë 629 milionë euro. Nga shuma totale prej 882 milionë euro rreth gjysma e fondeve do të vijnë si përkrahje direkte ndërsa gjysma do të jetë e qasshme për projekte për investime për projektin për investime në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Duke arsyetuar nevojën e Projektligjit për shërbimet e pagesave, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se përmes tij do të hapet rruga e integrimit të sistemit financiar me zonën SEPA (Single Euro Payments Area).
Me integrim në SEPA, sipas tij, bizneset dhe qytetarët tanë parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve.
“Si rezultat i këtij projektligji pas miratimit do të përmbushet edhe kriteri i radhës sa i përket përafrimit dhe do të mundësohet përfshirja e ofruesve të shërbimit të pagesave në zonën e vetme të pagesa të quajtur SEPA. Në këtë aspekt projektligji paraqet bazën kryesore për plotësimin e kritereve për aplikim dhe pranim të vendit tonë. Duhet theksuar se në bazë të studimeve të fundit që kemi pranuar del se 50 milionë euro në vit është kosto që bizneset dhe qytetarët e paguajnë vetëm për transfere ndërkombëtare dhe ndërmjet veti duke mos qenë të integruar në sistemin SEPA”, theksoi Murati.
Para qeveritarëve, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla kërkoi që t’i ndajnë 200 mijë euro për Bosnjën pas vërshimeve që ndodhën atje javën e kaluar.
“Për të marrë mendimin tuaj për një kërkesë që do të kemi si MPJD për solidarizim me Bosnjën për një situatë ku vërshimet jashtëzakonshme që kanë ndodhur kanë shkaktuar dëme të mëdha. Prandaj do të kërkoja solidaritetin tonë të përbashkët me një shumë prej 200 mijë eurosh”, tha ajo.
Kjo kërkesë u mirëprit nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi. Krahas këtyre, qeveria miratoi edhe rregulloren për procedurën e pranimit të nëpunësve të shërbimit publik në sektorin e shëndetësisë dhe një mori projektligjesh të tjera.