Agjenda e shënimit të Pavarësisë, Kurti do të bëjë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

U prezantuan aktivitetet për ditën e Pavarësisë

Të hënën do të shënohet 12 vjetori i pavarësisë së Kosovës. Për shënimin e kësaj dite janë paraparë aktivitete të shumta, e një ndër to është edhe vendosja e kurorave të luleve nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, që do të shënojë edhe herën e parë që Kurti viziton varrin e ish-presidentit.

Në këtë 12 vjetor nuk do të ketë parakalim të Ushtrisë së Kosovës nëpër sheshet e kryeqytetit, por që do të mbahet një ceremoni në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, në një konferencë për media, sot prezantoi të gjitha aktivitetet për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se janë të mobilizuar bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, që të koordinojnë me të gjitha institucionet tjera relevante përfshi rë Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, kryetarët e Komunave të cilët po ashtu kanë aktivitete.

Abazi shtoi se meqë nuk është vit jubilar festimin do ta bëjnë me shumë respekt dhe modesti.

I pyetur se a do të shkojë kryeministri Albin Kurti tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Abazi tha se kryeministri Albin Kurti së bashku me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, do të vendosin kurora lulesh tek varri i ish-presidentit.

Back to top button