Agjenda e takimit në Bruksel, Kurti: Vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar se në takimin më 18 gusht që pritet të mbahet në Bruksel, nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse.
Ndërsa, cila është agjenda nga ky takim, kryeministri Kurti tha se ende nuk kanë një njoftim zyrtar.
Kurti ka deklaruar se në këtë takim është i interesuar të diskutojnë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duan ta arrijnë me dialog.
“Ne nuk kemi një njoftim zyrtar mbi agjendën. Por, ajo çfarë kemi shkëmbyer gjatë komunikimit me Josep Borrellin, që është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, është se duhet ta synojmë dialogun për marrëveshje – jo dialogun për dialog, por dialogun për marrëveshje – që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe përveç kësaj një marrëveshje, e cila e bën normalizimin e plotë, duke e pasur në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se vendimet e Qeverisë nuk do t’i negociojnë.
“Por, ajo çfarë duhet të bëjmë në dialog është ta realizojmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Për atë është dialogu. Nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës. Ne, si Qeveri e Kosovës, i përgjigjemi Kuvendit të Republikës, qytetarëve të vendit tonë”, ka deklaruar ai./REL