AGK dënon kërcënimet ndaj gazetarëve pas raportimeve për Faton Hajrizin

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë pas një sërë videosh kërcënuese, kryesisht në platformën Tik Tok, ndaj disa gazetarëve dhe mediave ditët e fundit në lidhje me raportimet për Faton Hajrizin, i arratisur nga burgu në Kosovë, dhe për të cilin raportohet se është vrarë në Serbi.
AGK thotë se akuzat ndaj mediave dhe gazetarëve përveç të pabaza, janë shumë të rrezikshme dhe vënë seriozisht në rrezik sigurinë e gazetarëve të apostrofuar dhe familjeve të tyre.
Për më tepër, AGK u bën thirrje kolegëve gazetarë që të denoncojnë individët dhe llogaritë prej nga vijnë këto kërcënime, dhe fton Policinë e Kosovës të aktivizojë Njësitin e Krimeve Kibernetike për të gjetur dhe mbajtur përgjegjës kërcënuesit.
Meqë shumë prej kërcënimeve vijnë nga jashtë Kosovës, AGK pret që autoritetet e sigurisë të bashkëpunojnë me partnerët e tyre jashtë vendit, për të zbuluar autorët e kërcënimeve me jetë ndaj gazetarëve.