AGK-ja thirrje Policisë, kërkon të respektohet puna e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë është tejet i shqetësuar si pasojë e zhvillimeve nga protesta e PSD-së, kundër Ekaterina Trendafilova – kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, ku sipas tyre, është hedhur sprej dhe gaz lotsjellës në drejtim të gazetarëve.
AGK-ja ka njoftuar se, nga ky veprim i policisë, kanë pësuar Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë.
“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, andaj i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale. Njëherësh, u bëjmë thirrje kolegëve që raportojnë nga terreni të bartin me vete ID-të e tyre të punës, si dhe jelekët me mbishkrimin PRESS, ashtu që të identifikohen që janë punonjës të medieve, dhe jo protestues”, thuhet në njoftimin e AGK-së./21Media