AGK: Kritikat e Këshillit të Evropës për Projektligjin për KPM-në, rezultat i tendencës së Qeverisë që të kontrolloj mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të përmirësojë Projektligjin për KPM-në, pas opinionit ligjor nga ana e Këshillit të Evropës.

“Opinioni ligjor që mban datë 24 maj 2024 dhe është përgatitur për nevoja të Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës dhe konfirmon në tërësi shqetësimet tona të ngritura publikisht përmes konferencës për shtyp të mbajtur më 1 shkurt 2024. Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka shprehur keqardhjen për qortimin që i është bërë shtetit të Kosovës nga ana e Këshillit të Evropës, institucion ky në të cilin Kosova synon të anëtarësohet.

“Qortimi është rezultat i tendencës së qeverisë dhe shumicës parlamentare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave (KPM) përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative”, thuhet mes tjerash në reagim.

Back to top button