Prokuoria jep detaje për arrestimin e tre personave që sulmuan gazetarin Valon Syla

 

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin,  Valon Syla.

 

Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023.

 

“Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes  dhe mos durimit’’.Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.”, thuhet në njoftimin e prokuorisë.

 

20: 55- AGK reagon pas arrestimit të tre personave që sulmuan fizikisht Valon Sylën

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të tre personave që dyshohet se sulmuan gazetarin Valon Syla.

AGK në reagimin e saj thotë se mirëpret veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës.

“Njëherësh, i bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës, që konform ligjit, të shqiptojnë dënimet e duhura për autorët e këtij sulmi në përputhje me sulmin e rëndë ndaj gazetarit, që cenon të drejtën themelore të një qytetari për lirinë e shprehjes.”, thuhet ndër tjerash në reagimin e AGK-së.

Arrestohen tre personat që sulmuan Valon Sylën

Policia e Kosovës ka arrestuar tre personat që  sulmuan gazetarin, Valon Syla. Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit.”, njoftoi ai në Facebook.

16: 39- Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e Valon Sylës

Janë identifikuar dy sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Kështu njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai tha se të njëjtit shume shpejtë do të sillen para drejtësisë.
Paraprakisht Sveçla dënoi sulmin ndaj Syles duke e quajtur si vepër të rëndë dhe të papranueshë,.

Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm.

“Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme. “, shkroi ministri në Facebook.

“Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.”, përfundoi ai.

Gazetari Valon Syla u sulmua natën e së martës në lagjen Bregu i Diellit.

Syla në Facebook shkroi se tre personat që e sulmuan atë, në pamje ishin “islamik fanatik”.

Syla tha se sulmi ndaj tij u bë për shkak të reagimeve që ai pati ndaj Hoxhës nga Prizreni të cilit iu bë dhuratë një veturë e tipit Mercedes vetëm pak ditë më parë./21Media

Back to top button