AGK: Stafi i RTV Besa u kërcënua nga ish-kryetari i AAK-së në Prizren

Stafi i RTV Besa në Komunën e Prizrenit është kanosur e kërcënuar gjatë ditës së djeshme nga ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, Lulzim Kabashi, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Sipas një njoftimi drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, redaksia e këtij mediumi ka thënë se ish-kryetari i AAK-së në Prizren, Lulzim Kabashi, “ka bastisur dje pasdite zyret e RTV Besa, duke e kanosur dhe kërcënuar mediumin lokal RTV Besa”.

Sipas RTV Besa, i njëjti ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish-kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.

Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin dhe kanosjen ndaj kolegëve të mediumit lokal, RTV Besa, njëherësh i bën thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që kolegët të vazhdojnë të kryejnë profesionin e tyre pa u penguar”, tha AGK në komunikatë. /21Media

Back to top button