Agresioni serb në veri, debate në Kuvendin e Shqipërisë

Seanca e posaçme e Kuvendit të Shqipërisë që do të diskutojë për rezolutën për të dënuar agresionin serb në fshatin Banjskë të Zveçanit është rënë dakord që të mbahet më 12 tetor, por për opozitën parlamentare në Tiranë kjo duhet të ndodhë sot (5 tetor).

Edhe pse ne rend dite ishin pika të tjera, pothuajse pjesa më e madhe e seancës së Kuvendit shqiptar ka kaluar duke diskutuar për Kosovën me akuza ndaj mazhorancës dhe opozitës, përkundër thirrjeve që kjo çështje duhet t’i gjejë në një qëndrim.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi që të ndërpritet seanca e sotme dhe të fillojë ajo për Kosovën, pasi agresioni në Banjskë është çështje urgjente.

“Kjo është një çështje urgjente për të cilën është shprehur gjysma e botës, Parlamenti Evropian, ligjvënës të SHBA, institucione të sigurisë, sa e vështirë apo e pamundur që të lihet mënjanë rendi i sotëm i ditës, ose në mos lihet mënjanë, të vazhdojë pasi kjo seancë të ndërpritet dhe parlamenti të vejë në rend të ditës rezolutën për Kosovën si hap i parë. Sa e vështirë është që të japim një sinjal përmes veprave dhe jo fjalëve dhe t’i japim fund dakordësimeve për ta shtyrë Kosovën për javën e ardhshme, nuk ka pse ta shtyjmë Kosovën për javën e ardhshme, ta bëjmë sot, ta bëjmë tani aq më shumë që pritshmëritë qenkan dhe duhet të jenë për një qëndrim të përbashkët”, deklaroi Basha.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se qëndrimi i Shqipërisë është një qëndrim i fortë karshi kësaj ngjarjeje. Ai tha se opozita po dëshiron të krijojë një situatë të pakuptimtë ndërsa duhet të jenë të bashkuar.

“Duhet të jeni shumë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë është një qëndrim i fortë i vendit amë natyrshëm dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama janë qëndrimet e duhura në këtë kohë të vështirë. Ajo që më vjen shumë keq është përpjekja e opozitës në Shqipëri për të krijuar një situatë të pakuptimtë në Kuvendin e Shqipërisë në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë vetëm një mesazh, atë të përbashkimit, miratimit të projektrezolutës nga grupi parlamentar i PS-së, ku ju jeni të mirëpritur të kontribuoni”, tha Balla.

Më ashpër u tregua kreu i grupit të Rithemelimit të Partisë Demorkatike, Sali Berisha, që kritikoi Ramën për deklaratën se “veriu është tokë e askujt”.

“Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiqi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Evropa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotëve të saj”, tha Berisha.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se deklarata e Ramës ishte korrigjuar nga “Financial Times” ndërsa nuk duhet të bëhet objekt debati lapsusi i një gazete. Ai tha se Kosova është interes kombëtar dhe kjo duhet të mjaftojë që palët të ngrihen mbi dallimet.

“Edhe nëse do të kishim ne ndasi politike dhe dallime, sot duhet të tregonin anën tjetër të medaljes, duhet të tregonim ne që sado të ndryshonim jemi, sado që kemi mazhorancë me opozitë kemi mosmarrëveshje dhe dallime, ndoshta brenda opozitës mund të ketë nën dallime, ne bëhemi njësh dhe jemi të gjithë bashkë kur vjen fjala për interesin tonë kombëtar dhe Kosova është prioriteti kryesor i të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike”, tha Peleshi.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë paraqitur nga një rezolutë ku dënohet agresioni serb në Kosovë për të cilën pritet të diskutohet në seancën e 12 tetorit. Partitë kanë dallime rreth tekstit të rezolutës dhe mbetet të shihet nëse Kuvendi do të arrijë të miratojë një rezolutë të përbashkët javën e ardhshme.

Back to top button