Ahmeti dhe Mexhiti urojnë 8 shtatorin – Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka uruar 8 shtatorin-Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë. Mexhiti shkruan se 8 shtatori është dita kur qytetarët zgjodhën të largohen nga Jugosllavia dhe të ndërtojnë një shtet të pavaruar. Mes tjerash Mexhiti thekson se sot Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët, multietnik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.

“8 Shtatori është dita kur qytetarët zgjodhën të largohen nga Jugosllavia dhe të ndërtojnë një shtet të pavarur. Sot ky shtet është i përbashkët, multietnik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. Le ta respektojmë këtë rrugë, të bashkëjetesës dhe të së ardhmes evropiane. Sot të kujtojmë obligimet që qëndrojnë para nesh, të ndërtojmë një sistem të drejtë, të mundësojmë jetë më të mirë, të ndërtojmë shkolla dhe kopshte, të kemi shëndetësi të mirë. Qytetarët tanë të jetojnë këtu, të kthehen, e jo të largohen”, ka shkruar zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Ndërkaq, po nëpërmjet rrjeteve sociale, 8 shtatorin-Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë e ka uruar edhe kreu integrist, Ali Ahmeti. Ahmeti shkruan se mendësia e re e bashkëjetesës, respektit dhe barazisë zbatoi Marrëveshjen e Ohrit, anëtarësoi vendin në NATO dhe hapi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut është gjithmonë shkas për të reflektuar mbi atë se ku ishim, ku jemi dhe ku duhet qenë. Kushtetuta e vitit 1974 u ndryshua më 1989 në mënyrë të njëanshme duke i privuar shqiptarët nga statusi shtetformues dhe ky moment paraqet kthesën stagnuese në vend. Më pastaj, më 1991, shqiptarët sërish u përjashtuan dhe nuk ishin pjesë e procesit të shkëputjes së Maqedonisë nga ish Jugosllavia e as nuk ishin hisedarë në ndërtimin e shtetit të ri. Kësisoji, u hartua kushtetuta diskriminuese që promovonte supremacinë etnike të shumicës ndaj shqiptarëve dhe komuniteve tjera. Asokohe, politikanë të pandërgjegjshëm krijuan naracion e gabuar arkaik “Maqedonia e maqedonasve.” Propagandonin mashtrimin e vazhdueshëm që e keqja e këtij vendi vie nga shqiptarët. Qeverisnin papërgjegjshëm nëpërmjet të instalimit të frikës inekzistuese për “rrezikun” që këtij vendi i kanoset nga shqiptarët. Këto politika të gabuara morën fund më 2001, kur shqiptarë e maqedonas u zotuam bashkë që ta ndërtojmë Maqedoninë e re, të barabartë dhe EuroAtlantike, nëpërmjet të zbatimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Kushtetuta e re, me të gjitha nëpërkëmbëzat politike ndër vite, mundësoi barazi etnike, gjuhësore, kulturore, arsimore, përdorim të simboleve kombëtare dhe ndarje të përgjegjësive për bashkëqeverisje. Kjo mendësi e re, e bashkëjetesës, e respektit dhe barazisë, zbatoi Marrëveshjen e Ohrit, anëtarësoi vendin në NATO dhe hapi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian. Por, të nderuar bashkëqytetarë, sot jemi dëshmitarë të rikthimit jo vetëm të një narativi të njejtë, por edhe të veprimeve të përditshme që cënojnë bashkëjetesën, Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, barazinë dhe të arriturat e përbashkëta të derisotme. Përfitimet partiake të çastit me fushatë antishqiptare janë dështim i shtetit të përbashkët. Fiton partia, humb shteti! Të nderuar maqedonas, asnjë rrezik, asnjë maqedonasi, e aq më pak shtetit, nuk i kanoset nga barazia me shqiptarët. Po e ritheksoj, shqiptarët duan shtet unitar, të barabartë, të integruar në NATO dhe në Bashkimin Europian. Çdo gjë tjetër që dëgjoni në vazhdimësi nga elita politike maqedonase është mashtrim. Në këtë përvjetor, ftoj liderët politik maqedonas nga i gjithë spektri politik që të heqin dorë nga politika e instalimit të percepcionit të gabuar tek maqedonasit për shqiptarët dhe bashkëjetesën, të dëshmojnë lidership, të rikthehen në rrugën e respektit për vullnetin politik të bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë në zgjedhje, të ripërqafojnë parimin e barazisë dhe të zbatimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit si dhe të ndjekim bashkë rrugën europiane”, ka shkruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Back to top button