Ahmeti për TV21: Nesër takimi LSDM- BDI

Ali Ahmeti ka thënë se Qeveria do të formohet shpejt

Lëvizja Besa është e interesuar që të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme reformuese, por kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, kërkon garanci dhe afate të sakta për përmbushjen e obligimeve që do të jenë pjesë e programit qeverisës. Kasami shtoi se Lëvizja Besa do të ishte në pozitë komode edhe nëse vendos që të mos jetë pjesë e qeverisë.

“Ajo që ka pasur disa deklarime publike se disa parti politike kanë marrëveshje koalicioni, veçmë kanë caktuar edhe dikasteret qeveritare, në bisedën që patëm me Zoran Zaevin, me mandatarin na e bëri me dije që nuk asgjë të vërtetë nga kjo”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Kasami edhe një herë riafirmoj qëndrimin e Lëvizjes Besa, se nuk dëshirojnë të jenë me një kabinet qeverisës me persona të cilët po i heton Prokuroria Speciale.

Më shumë optimizëm në BDI. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, për TV21 tha se beson që bisedimet me LSDM do të përfundojnë shpejtë.

“Akoma nuk ka bisedime. Nesër do të jetë takimi mes BDI-së dhe LSDM-së.
A mendoni se do ta përfundoni shpejtë?
Po tani, besoj që do ecin…”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Nga LR PDSH thonë se fokusi i bisedimeve do të jenë pikat dhe kërkesat e votuesve shqiptar e jo postet. Prioritete për LR PDSH janë funksionimi i shtetit të së drejtës, ligji për gjuhën shqipe dhe zhvillimi i barabartë rajonal.

Mandatari Zoran Zaev, bisedimet për formimin e qeverisë i filloi menjëherë pas marrjes së mandatit ditën e djeshme. Ai sot zhvilloi takim me kryesinë e partisë së tij, ndërsa nesër pritet që të takohet me Ahmetin, me qëllim që të analizohen pozitat fillestare për formatin e ri qeverisës. Nga LSDM janë të bindur se bisedimet do ti përfundojnë brenda 10 ditëve./21Media

Back to top button