Ajeti premton se do ta vendos flamurin e Kosovës në objektin e Komunës së Graçanicës

(Lajm i përditësuar)
Ajeti premton se do ta vendos flamurin e Kosovës në objektin e Komunës së Graçanicës
Kandidati për kryetar të Komunës Graçanicës, nga Aleanca Shqiptare, Leutrim Ajeti në debatin zgjedhor në RTV21 premtoi se do ta vendos flamurin e Kosovës në objektin e Komunës nëse vjen në krye të këtij posti.
“Brenda hapësirave të komunës unë, kur të bëhem kryetar, do ta vendosi në objektin e komunës së Graçanicës flamurin e Kosovës”, tha ai.
Derisa shtoi se sa ishte nënkryetar nuk kishte ndikim ta vendoste flamurin.
“Nuk kam pasur ndikim, sepse unë thashë është obligim ligjor që unë të jem nënkryetar i komunës, dhe kjo është kur je kryetar e ke mandatin nga qytetari”, tha ai.
Ai shtoi se aktualisht flamuri serb nuk është i vendosur në objektin e komunës, por në pronën private të manastirit.
Ajeti: Ka rritje të numrit të banorëve në Graçanicë
Kandidati për kryetar të Komunës Graçanicës, nga Aleanca Shqiptare, Leutrim Ajeti në debatin zgjedhor në RTV21 tha se në këtë komunë ka rritje të numrit të banorëve.
Ai këto deklarata i bëri kur po shpaloste planet për ujësjellësin, teksa u pyet se a do të gjendet një zgjidhje për ata banorë që ankohen se kanë shtypje të dobët të ujit.
“Do të shikojmë që këtë problem ta zgjidhim me KRU Prishtinën, sepse problemi qëndron te rritja e numrit të banorëve në komunën tonë. Pra, nëpër shumë komuna në Republikën e Kosovës ka largim, zhvendosje të banorëve, tek ne ka rritje të banorëve, ky është sinjal i mirë. Këtë duhet ta trajtojmë me KRU Prishtinën dhe Ibër Lepencin”, tha derisa premtoi se do ta zgjidhë problemin me ujë.
Nënkalim, shesh e parkingje të reja premton Ajeti për Graçanicën
Kandidati për kryetar të Komunës Graçanicës, nga Aleanca Shqiptare, Leutrim Ajeti në debatin zgjedhor në RTV21 shpalosi programin e tij qeverisës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Unë i kam futur në rend të parë tri prioritete, e para është ndërtimi i një nënkalimi në qendër të Graçanicës, magjistralja Prishtinë–Gjilan, dhe në atë nënkalim do ta shkarkonim komunikacionin. Pastaj, në atë nënkalim do të kishim edhe parkingje, që po ashtu ka mungesë të parkingjeve në Graçanicë, si dhe Graçanicës i mungon një shesh, e sheshi do të ishte sipër aty bashkë me nënkalimin aty”, tha ai.
Ajeti iu bën thirrje gjithë komuniteteve që t’i bashkohen Aleancës Shqiptare në Graçanicë
Kandidati për kryetar të Komunës Graçanicës, nga Aleanca Shqiptare, Leutrim Ajeti në debatin zgjedhor në RTV21 tregoi se si erdhi ideja deri te një aleancë e shqiptarëve në Graçanicë. Ai tha se kjo erdhi si rezultat edhe i punës së tij si nënkryetar i kësaj komune.
Kur u pyet se si u bë harmonizimi i programit nga të gjitha partitë ai tha se problemi më i madh është gjetur kur është diskutuar se kush do të jetë përfaqësuesi i tyre.
“Askush nuk ka dalë kundër, dhe nga këtu dua t’i falënderoj të gjithë pjesëtarët, që kanë treguar pjekuri të lartë dhe ne jemi bashkuar për një qëllim të vetëm, për ta transformuar Graçanicën”, tha ai.
Ai po ashtu ka ftuar edhe pjesëtarët e komuniteteve, serbëve, romëve, ashkalinjve.
“Ka vend ende, ata që nuk ndihen të përfshirë janë të mirëseardhur… bashkarisht të bëhen pjesë e listës tonë fituese, ne kemi nevojë që listës tonë t’i bashkohen të gjithë pa dallim etnie apo feje… unë i pres që bashkarisht të bëhen pjesë e pastaj të qeverisim bashkë”, tha ai./21Media