Akademi përkujtimore për Dr. Afrodita Vatovcin

“Fjalët nuk kanë peshën e duhur për të artikuluar dhimbjen dhe mallin për nënën”

Afrodita do të mbahet në mend për shumë gjenerata si grua e cila me punën dhe veprën e vet la një model dhe profil të mirë të gruas, mjekes dhe qytetares së guximshme, jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por edhe më gjerë. Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e vdekjes së doktoreshës nga Mitrovica, Afrodita Vatovci, e cila u mbajtë nën përkujdesjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë akademi morën pjesë kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministra dhe deputetë të vendit, familjarë, miq e kolegë të doktoreshës Vatovci, si dhe shumë qytetarë.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli theksoi se qyteti i Mitrovicës është i pasur me biografi të njerëzve të devotshëm në sakrificë dhe në liri, ndërsa shembull i vërtetë i kësaj është jeta dhe vepra e Afrodita Vatovcit.

“Identiteti i një qyteti mund të njihet më së miri nga biografia e njerëzve të dalluar të tij. Mitrovica është e pasur me biografi të tilla të njerëzve të saj, të devotshëm në sakrificë dhe në liri, ndërsa një shembull i vërtetë i kësaj është jeta dhe vepra e Afroditës. Ishte një personalitet i kompletuar në çdo pikëpamje”, tha Veseli.

Në emër të shoqeve, foli Drita Kadriu, e cila tha se mantelbardha dhe zemërbardha Afroditë do të kujtohet gjithmonë si grua dhe nënë që reflektoi pozitivitet dhe dhuroi buzëqeshjen nën hijen e syve, pavarësisht problemeve që i solli jeta.

“Do të kujtojmë si profesioniste të mrrekullueshme që me duart e prerura ua zbukurove buzëqeshjen të tjerëve. Do të kujtojmë si grua që besonte në vlerat e barazisë, drejtësisë, humanitetit, solidaritetit dhe përkushtimit për zhvillim e prosperitet shoqëror”, u shpreh Kadriu.

Ndërsa, Fisnik Vatovci, djali i të ndjerës tha sa e vështirë qenka që në këtë orë përkujtimi të lexojë elegji për nënën. “Fjalët nuk kanë peshën e duhur për të artikuluar dhimbjen dhe mallin për nënën”, shtoi mes tjerash ai.

Për jetën dhe veprën e saj folën edhe kolege tjera të pranishme, ndërsa u lexuan edhe vargje poezie për të.

Stomatologia Afrodita Vatovci, e cila pas një sëmundje të rëndë vdiq më 19 janar të këtij viti në moshën 54-vjeçare, ishte këshilltare komunale nga radhët e PDK-së gjatë mandatit të kaluar, njëherësh kryetare e grupit të grave asambleiste të Mitrovicës.

Back to top button