Aksidenti në Bullgari, ambasadori i Serbisë viziton në spital banorin e Preshevës

Ambasadori i Serbisë në Bullgari, Zeljko Joviç sot ka vizituar në spitalin e Sofjes njërin prej personave të mbijetuar nga aksidenti i autobusit nga Maqedonia, në të cilin kanë vdekur 46 persona, transmeton TV21.
Banori i Preshevës, Lulzim Sulejmani është njëri prej të mbijetuarve nga ky aksident.
“Ai ka ndihmuar në evakuimin e udhëtarëve. Ndihet mirë, do ta vizitojmë rregullisht. Falenderojmë ministrin Svetla Stoev dhe MPJ- e Bullgarisë për ndihmën”, është shkruar në njoftimin e ambasadës së Serbisë në Sofje.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, sot në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media

Back to top button