Aksion i Doganës në dy barnatore, barna të fshehura pa asnjë dokument – vlera mbi 4 mijë euro

Gjatë një operacioni të Doganës dhe Policisë, në rajonin e Gjilanit janë konfiskuar barna të kontrabanduara në vlerë prej 4.000 eurosh.
Sipas një njoftimi nga Dogana e Kosovës në rrjetin social Facebook bëhet e ditur se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës.
“Task Forca, e përbërë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, gjatë një operacioni kontrolli në dy barnatore në qytetin e Gjilanit dhe Vitisë, ka zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme barnash të dyshuara si të kontrabanduara. Gjatë kontrollit të detajuar në ambientet e brendshme të barnatores, janë gjetur barna të fshehura, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor. Dyshohet se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, duke anashkaluar procedurat e importit dhe detyrimet doganore. Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e barnave të sekuestruara kap shumën mbi 4000 euro. Dogana e Kosovës ka nisur procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit, si dhe ka njoftuar organet përkatëse për veprimet e mëtejshme ligjore. Task Forca mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim. /21Media