Aksion kundër kontrabandës në Leposaviq, sulmohet policia

Mbrëmë në fshatin Jashanicë në Leposaviq, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kundër kontrabandës.
Gjatë aksionit kontrabanduesit me kamionë i kanë sulmuar automjetet e policisë duke u shkaktuar lëndime 5 zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejt të Policisë Kufitare në asistencë të njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të Magjistrales Mitrovice-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar. Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).
“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësia e hetimeve regjionale të policisë kufitare, njësia e anti terrorizmit, njësia e forenzikës si dhe Dogana e Kosovës. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe sipas urdhrit të tij, personi i dyshuar A.D, është dërguar në mbajtje dhe iniciohen rastet për ‘Kalim i Kufirit Ilegal’, ‘Kontrabandim Me Mallra’, dhe ‘Sulm ndaj Personit Zyrtar’. Personi i dyshuar U. R, (2002), vozitës i veturës lirohet në procedurë të rregullt ndërsa malli i kontrabanduar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme”, thuhet tutje në komunikatën e Policisë./21Media

Back to top button