Aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve, Prokuroria Speciale: Shkaktuan dëm afro 3 milionë euro

(Lajm i përditësuar)


Aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve, Prokuroria Speciale: Shkaktuan dëm afro 3 milionë euro

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.

“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.


Skandali me rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari thotë se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj

Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hajdari u shpreh se lidhur me këtë çështje është njoftuar nga avokati i saj.

“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022″, ka shkruar ajo.

Back to top button