Aktakuzë kundër dy personave të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit

Prokuroria Themelore në Prizren, bën të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve A.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërkaq B.C., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10 min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

“I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me këto veprime, A.K., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërkaq B.C., ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të KPRK-së.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ka propozuar që të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin public”, thuhet në njoftim.

Back to top button