Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

 
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër A.K., dhe Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, A.K., si udhëheqës i Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe i pandehuri, Sh.K., si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, që të dy si persona zyrtar, në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri, Sh.K., në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren, pajtohet me propozimin e propozuesit, V.J., për rregullimin e megjeve, kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit, ku një pjesë e ngastrës kadastrale pronë e Komunës se Prizrenit, këmbehet me një pjese të ngastrës kadastrale, pronë e propozuesit V.J., e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Sipas një komunikate për media në rastin konkret të akuzuarit po ashtu, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesën, ku si rezultat i kësaj propozuesi, V.J., pajiset me leje ndërtimore, me ç’rast i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë./21Media

Back to top button