Aktakuzë ndaj një hetueseje policore, dyshohet se shpërndau të dhëna nga sistemi i Policisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një hetuese policore, për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”.
Sipas prokurorisë, ajo dyshohet se duke shfrytëzuar qasjen në detyrën zyrtare është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës dhe ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të një personi me inicialet F.M.
Dyshohet se këto informacione ia ka dërguar përmes aplikacionit WhatsApp mikut të saj A.P., me qëllim që ai të përfitojë përparësi që nuk i takojnë.
Sipas aktakuzës, A.P. më pas i ka publikuar këto të dhëna në një emision televiziv më 20 dhjetor 2025 me qëllim diskreditimin e të dëmtuarit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës F.B. – Hetuese Policore në drejtim të veprës penale Keqpërdorimi i informatës zyrtare nga neni 416 i KPRK-së. Pas zhvillimit të hetimeve dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura F.B. në cilësinë e personit zyrtar – Hetuese Policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, duke keqpërdorur informatën zyrtarë, në të cilën ka pasur qasje si rezultat i detyrës zyrtare, ashtu që me kërkesën privatë të mikut të saj A.P., e me qëllim që ky i fundit të përfitoj përparësi që nuk i takojnë, e pandehura përmes llogarisë zyrtare është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) ku ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të dëmtuarit F.M., të cilat të dhëna përmes rrjetit social “WhattsApp” ia ka dërguar personit A.P., i cili me qëllim të diskreditimit të dëmtuarit i ka publikuar në emisionin televiziv të datës 20.12.2025”, thuhet në njoftim.