Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se pa diplomë e ushtroi mbi 8 vjet profesionin e mjekut në dy ordinanca në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj personit A.R., i cili dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore ka ushtruar profesionin e mjekut pa pasur diplomë apo autorizime të nevojshme ligjore.

A.R. nga Ferizaj po dyshohet për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se A.R., nga data 4 korrik i vitit 2016 deri më 10 dhjetor të vitit 2024 në Ferizaj, në ordinancat “Almed” dhe “Almedica”, ka dhënë trajtime mjekësore dhe shërbime farmaceutike pa pasur kualifikimet profesionale dhe autorizime ligjore.

“Ai ka ofruar shërbime shëndetësore si mjek i përgjithshëm pa poseduar licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe ka disponuar barna me afat të skaduar, ndërsa me datë 30.05.2025, përkundër faktit që Inspektorati Shëndetësor ka vendosur shenjat zyrtare për ndërprerje të punës, deri në pajisje të licencës nga Ministria e Shëndetësisë, i pandehuri heq shenjën zyrtare me qëllim të vazhdimit të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësore, me të cilën ka kryer veprat penale ‘Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ nga neni 256 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, dhe ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’ nga neni 406 i KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

Back to top button