Aktakuzë ndaj shitësit ambulant në Gjilan

Aktakuzë për keqpërdorim të besimit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.M, për veprën penale ‘’Keqpërdorim i besimit’’, i cili gjendet nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 23 nëntor.

“Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor 2017 dhe më 16 nëntor 2018, i pandehuri, në cilësi të shitësit ambulant, në një kompani në Gjilan, me dashje dhe me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka keqpërdorur autorizimet e tij, ashtu që duke shfrytëzuar autorizimin e dhënë për përfaqësimin e interesave pasurore të të dëmtuarit S.SH, ka tejkaluar autorizimet dhe paratë e arkëtuara nuk i ka deponuar por i ka përvetësuar për nevojat e tij, duke e dëmtuar të dëmtuarin në vlerë prej 1 mijë e 973,69 euro”, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata, që të pandehurit t’i shqiptohet sanksion penal, i cili do t’i përgjigjej të gjitha rrethanave të kryerjes së veprës penale.

Gjithashtu, është kërkuar që të njëjtit t’i shqiptohet edhe dënim plotësues, me të cilin do të urdhërohej i pandehuri, që të dëmtuarit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar.

Back to top button