Aktivisti i PDK-së e “mbulon” me dinarë Martin Berishajn

Sot, aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbuluar me dinarë të printuar të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, teksa po mbahej Forumi Ekonomik Kosovë-Kroaci të enjten në Prishtinë.
Sipas njoftimit të PDK-së kjo u bë “në shenjë proteste për aferën e madhe financiare që është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN-I me seli në Beograd”.
“Ambasadori Martin Berishaj është paguar miliona euro nga GEN-I i Serbisë, para të cilat janë tërhequr dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar”, thuhet tutje në shkrimin e PDK-së në Facebook.
Në shkrimin e PDK-së thuhet se është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga Kryeministri Kurti.
PDK-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistit të tyre, që u arrestua nga Policia.
“Ambasadori me aktakuzë Martin Berishaj nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi, sa të vazhdojë të jetë në detyrë ai do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës. Në Prishtinë ai duhet të vijë vetëm për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe të jap llogari për skandalin në të cilin është përfshirë. E vërteta nuk do të mund të fshihet, përkundër mbrojtjes së pakuptueshme dhe të dyshimtë që po i bëhet, sado e madhe të jetë piramida e këtij skandali. Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jo demokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij! Sot është arrestuar personi i gabuar!”, thuhet në reagimin e PDK-së./21Media

Back to top button