Alabama kryen ekzekutimin e parë me azot

Të enjten mbrëma, në Alabama u ekzekutua Kenneth Smith, i dënuari i parë me vdekje nga gazi azotik.
Kështu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë zbuluar një metodë të re të ekzekutimit të burgosurve që janë të dënuar me vdekje, për të cilën ekspertët kanë thënë se mund të çojë në dhimbje të tepërta apo edhe tortura.
Smith, i cili u dënua me vdekje për kryerjen e një vrasje me pagesë në vitin 1988, i kishte mbijetuar përpjekjes fillestare të shtetit për ta ekzekutuar atë me injeksion vdekjeprurës në vitin 2022, raporton CNN.
Ora e vdekjes së Smith ishte 20:25 me orë lokale, kështu njoftuan zyrtarët.
Në një konferencë shtypi pas ekzekutimit, komisioneri i Departamentit të Korrigjimeve në Alabama, John Hamm, tha se azoti po funksiononte për rreth 15 minuta, transmeton rtv21.tv.
Dëshmitarët dhe mediat thanë se Smith bëri një deklaratë të gjatë para se të vdiste “Sonte Alabama bëri që njerëzimi të bënte një hap prapa. Unë po largohem me dashuri, paqe dhe dritë, faleminderit për mbështetjen, ju dua të gjithëve.”
Sipas raportimit të mediave Smith u shfaq i vetëdijëshëm disa minuta pas ekzekutimit, kjo u pasua nga disa minuta me frymarrje të thellë, derisa fryma e tij filloj të ngadalësohej.
“Kishte disa lëvizje të pavullnetshme dhe disa frymëmarrje agonale, kështu që gjithçka pritej dhe është në efektet anësore që kemi parë dhe hulumtuar mbi hipoksinë e azotit,” tha Hamm. “Pra, asgjë nuk ishte e pazakontë nga ajo që prisnim.” Frymëmarrja agonale zakonisht përshkruhet si një lloj gulçimi që shihet te njerëzit që po vdesin.
Një tjetër dëshmitar i vdekjes së Smith, i cili më parë kishte shprehur shqetësimin se metoda mund të ishte çnjerëzore, e përshkroi vdekjen në terma më grafikë, duke thënë se ishte “gjëja më e tmerrshme që kam parë ndonjëherë”.
Ndërsa njëri djalë i viktimës, Elizabeth Sennett, ka thënë se vdekja e tij ka vendosur drejtësi për nënën e tij.
“Asgjë nuk ndodhi këtu sot që do ta kthejë mamin. Asgjë. Ne jemi të kënaqur që kjo ditë ka mbaruar. Të tre personat e përfshirë në këtë rast vite më parë i kemi falur”, tha Mike Sennett në konferencën për shtyp.
Para ekzekutimit të tij, Smith është ushqyer me një vakt të fundit me biftek dhe vezë, sipas informacionit të lëshuar nga Departamenti i Korrigjimeve në Alabama.
Kenneth Smith u dënua me vdekje për vrasjen e Elizabeth Sennett në vitin 1988./21Media