Alarmi për bombë në Kuvend ishte i rrejshëm

(Lajm i përditësuar)



Alarmi për bombë në Kuvend ishte i rrejshëm

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka thënë se alarmi për bombë në Kuvend ishte i rrejshëm.

Sipas tij, zëri që ka kërcënuar për bombën ka qenë zë mashkulli që ka folur në gjuhën angleze.

Ai ka shtuar se besojnë se personi i dyshuar mund të ketë qenë nga një shtet jomik. Kjo, sipas tij, ka ardhur bazuar në theksin e të dyshuarit gjatë telefonatës që ka zhvilluar.

“Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. D vazhdojmë sa i përket prejardhjes së thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, me gjuhën angleze, me theks që mendojmë se është të shteteve jomike”, ka thënë Zejnullahu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për portalin rtv21.tv se kërcënimi për mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës u bë përmes një mesazhi.

“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, kanë thënë nga Policia.


Shtyrja pas alarmit për bombë, seanca konstituive do të mbahet sonte në orën 20:00

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sonte në orën 20:00 tentimin e 42-të për konstituimin e Kuvendit pas alarmit për bombë.

Kjo u bë e ditur nga sekretari i Kuvendit, Arben Loshi.

“Seanca konstiutive e përcaktuar sot për në ora 11:00 pas alarmit për bombë vazhdon punimet sot në ora 20:00, sipas njoftimit të kryesuesit së seancës, Avni Dehari”, ka thënë Loshi para gazetarëve.

Ai ka shtuar se alarmi është bërë nga një person që ka kërcënuar në gjuhën angleze.

“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do shpërthejë brenda 10 minutash”, ka shtuar ai.  /21Media


Konfirmohet nga policia, një person me telefon ka dërguar kërcënim me mjet shpërthyes në Kuvend

Një rast me kërcënim me telefon për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të Kuvendit ka ardhur ditën e sotme.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paraditës, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuar personat nga objektet. Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, tha Kelani. /21Media



Evakuimi i deputetëve, Zogaj: Besoj që do e vazhdojmë pas disa orëve

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj është prononcuar para mediave pas alarmit për bombë në Kuvendin e Kosovës.

Si shkak i këtij kërcënimi, seanca e 42-të konstituive nuk u mbajt, derisa Zogaj shton se beson që pas disa orëve do vazhdojë kjo seancë, pas procedurave të kryera nga institucionet e sigurisë.

“Nuk kemi informacione shtesë, krejt qka na është dhënë edhe urdhëru është që ta lirojmë sa më shpejtë objektin e Kuvendit, unë po besoj edhe shpresoj që do të ketë procedura të kërkimit tash edhe pastaj na fton kryesuesi në seancë. Ne po presim jemi këtu, kështu që pas disa orëve besoj prapë vazhdojmë me seanca. Kjo krejt nvaret nga policia kur ata e konsiderojnë që Kuvendi i Kosovës është i sigurtë për të vazhduar punimet”, ka deklaruar Zogaj.


Kadrijaj: E pakuptimtë situata, s’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin

Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka quajtur të pakuptimtë situatën e evakuimit.

“Nuk e di çka ka ndodh. Nuk e di kush e ka marrë këtë informacion. Besoj që është tepër e pakuptimtë kjo që po ndodh”, ka thënë Kadrijaj për mediat.

“Nuk e besoj, ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme që me i largu deputetët nga Parlamenti se s’ka njeri normal që e sulmon institucionin e Kuvendit të Kosovës e që i sulmon deputetët”.

“Ne po e respektojmë këtë vendim”, tha ajo, duke shtuar se do të kthehen sapo t’u thotë policia.


Evakuimi i deputetëve, Duda Balje: S’besoj që ka me ndodhë diçka, mundet me qenë ‘fake’

Deputetja Duda Balje është deklaruar pas urdhrit për evakuim të deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, që dyshohet se lidhet me një kërcënim.

“Na thanë me dalë sa më shpejt prej Kuvendit, asgjë më shumë, naj alarm naj sen. S’besoj që ka me ndodhë diçka, mundet me kanë fake”, u shpreh Duda Balje.


Konjufca zbulon se Kuvendit i shkoi një “kërcënim” nëpërmjet telefonit: Policia kështu po mendon…

Deputeti Glauk Konjufca ka folur para gazetarëve në oborrin e Kuvendit të Kosovës derisa është larguar pas urdhrit të policisë.

Ai ka thënë se në Kuvendin e Kosovës është bërë një kërcënim nëpërmjet telefonit duke thënë se policia do të tregojë më shumë. “Policia kështu po mendon…” tha ai.


Musliu: Duke njohur shumë mirë sigurinë dhe të kontrollave në Kuvend, unë mund të besojë që mund të ketë diqka

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu para gazetarëve ka thënë se gjendja e Kuvendit të Kosovës në pesë vitet e fundit është e papranueshme.

Ajo shtoi se nga njohja e saj për sistemin e sigurisë dhe kontrollave në Kuvend, mund të besojë që mund të ketë diqka.

“Mund të hyjë kush të dojë, mund të dalë kush të dojë, çdo gjë që është e mundur mund të futet në Kuvend, prandaj e duke njohur shumë mirë sistemin e sigurisë dhe të kontrollave në Kuvend unë mund të besojë që mund të ketë diqka. Përndryshe nuk e di pse dikush duhet të ketë arsyje”, tha Musliu sot para mediave. /21Media


Deputetët dhe ekipet e mediave evakuohen nga Kuvendi për shkaqe sigurie

Policia e Kosovës i ka urdhëruar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive, për shkaqe sigurie.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive është evakuuar për shkaqe sigurie, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Sipas disa deputetëve, bëhet fjalë për çështje sigurie dhe ndonjë kërcënimi të mundshëm.

“Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.

“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo para mediave.

Portali rtv21.tv ka dërgua pyetje në polici por ende nuk ka marrë një përgjigje.


Reagon Damka pas aktakuzës: Do të paraqitem me plot vullnet

Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka folur në lidhje me ngritjen e aktakuzës ndaj tij dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare që, sipas Prokurorisë, i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm mbi 1 milion euro.

Damka ka deklaruar se nuk ka pranuar ende asnjë ftesë nga ndonjë gjykatë në Kosovë dhe se nuk mund të komentojë aktakuzën pa e parë atë.

“Së pari unë si ministër në detyrë nuk kam marrë as një ftesë prej as një gjykate në Kosovë. Nuk mund ta komentoj pa e lexuar aktakuzën, kur e lexojmë aktakuzën, kur thirremi nga gjykata do të paraqitem me plotë vullnetin”, ka theksuar ai.

Ai është shprehur i bindur se nuk ka pasur shkelje ligjore apo keqpërdorim të detyrës në punën e tij si ministër.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi më 4 korrik se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për keqpërdorim të mbi një milion eurove nga buxheti i shtetit, përmes subvencioneve të ndara gjatë periudhës 2020–2022.


Kryeziu: LVV në vazhdimësi ka bërë përpjekje dhe ka dhënë hapa përpara për daljen e kësaj situate

Deputetja e LVV-së, Arbresha Kryeziu për RTV21 ka thënë se çdo parti politike duhet të përpiqet seriozisht për konstituimin e Kuvendit.

Ajo ka shtuar se është shumë e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet mrenda afatit 30 ditësh.

“Unë mendoj që ne duhet të përpiqemi seriozisht secila parti politike që faktikisht nuk është që kemi pasur një përpjekje të tillë prej këtyre partive tjera politike sepse LVV në vazhdimësi edhe ka bërë përpjekje edhe ka dhënë hapa përpara për daljen e kësaj situate. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet mrenda këtij afati, mendoj që edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ndoshta do të mund të ishte edhe më i prerë, duke na folur edhe për pasojat”, tha Kryeziu. /21Media


Xhaferi: Po përballemi me kryeneçësi politike, s’njihet gjuha e dialogut as komunikimit, veç e përçarjes

Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi para fillimit të seancës së 42-të për konstituimin e Kuvendit, tha se kur nuk ka numra ka marrëveshje politike.

Ai shton se aktualisht deputetët e ish-opozitës dhe qytetarët po përballen me kryeneçësi politike, ku nuk njihe gjuha e dialogut e as e komunikimit, por sipas tij, vetëm gjuha e përçarjes.

“Po fillimisht unë kujtoj që kur nuk ke numra ki marrëveshje, pra ne po përballemi me një kryeneçësi politike ku nuk e njeh gjuhën e dialogut dhe komunikimit por e njeh vetëm gjuhën e përqarjes. Situata është shumë e kjartë, duhet të kthehemi në rendin fillestar të ditës, rendi fillestar thotë pra votimi i hapur, kalohet ajo pikë apo ulu bë marrëveshje politike të dalim prej kësaj situatë politike që jemi”, ka deklaruar Xhaferi para mediave. /21Media


Qalaj: Kosova është në prag të humbjeve te fondeve që i merr nga BE-ja

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj pak para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se nëse ky institucion nuk funksionalizohet, pasojat më të mëdha do t’i kenë qytetarët,

“Mendoj se nuk ka dhënë sqarime se cilat janë pasojat juridike, por mendoj se pasoja më e madhe është për qytetarët e Kosovës, përtej atyre juridike, për shkak se Kosova është duke u dëmtuar mjaft shumë, e dini, Kosova është në prag të humbjeve te fondeve që i merr nga BE-ja”, tha Qalaj para mediave.

Tutje ai tha se nuk ka vullnet politik për të kaluar ngërçin dhe bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.


​Tentimi i 42-të për konstituimin e Kuvendit

Sërish sot mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

Të enjten Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, e cila dështoi.

Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë.

Në votimin për Komisionin për votim të fshehtë nga deputetët 99 sa ishin në sallë, 54 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.

Kjo çështje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.

Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar situatën e bllokadës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se votimi i fshehtë është i mundur nëse arrihet konsensus ndërmjet deputetëve për këtë formë të votimit.

“Konstatimi i ekipit tim ligjor, me të cilin unë pajtohem, është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi. Megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, deklaroi Osmani.

Osmani paralajmëroi pasoja juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Back to top button