Albin Kurti në Krushë: E kemi të qartë përmasën e punëve që duhet kryhen për gjetjen e drejtësisë
Sot në akademinë përkujtimore të 23 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti gjatë fjalimit të tij ka theksuar se ai dhe qeveria e tij e kanë të qartë përmasën e punëve që duhet t’i kryejnë për gjetjen e drejtësisë.
”Ne dje e përkujtuam ndërhyrjen e NATO-s në historine tonë, e vetëm një ditë më vonë pati nisur masakra në Krushë, drejtësia jonë nuk ka nevojë të jetë e importuar, kërkojmë drejtësi për të vrarët”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit gjithkush duhet të mësojë nga sakrifica e tjetrit.
Kurti e përmendi edhe Ukshin Hotin për të cilin tha se është vështirë të gjendet drejtësi.
”Lavdi Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë”, tha Kurti.
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.
23 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën./21Media