Albin Kurti viziton Sylejman Selimin

“Por, Syla është mirë me shëndet dhe fytyra i shkëlqente”

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar sot Gjeneral lejtnant, Sylejman Selimin. Kurti e ka bërë këtë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se kanë kaluar 20 vjet prej që e njeh dhe që janë shokë.

“Në vendlindjen e tij në Açarevë, sot vizitova Gjeneral lejtnant Sylejman Selimin. Ai është liruar me kusht nga burgu. Kjo disi i ngjan aq shumë gjendjes së vetë shtetit të Kosovës. Por, Syla është mirë me shëndet dhe fytyra i shkëlqente. Nga Komandant i Zonës Operative të Drenicës te Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së te Komandant i TMK-së e i FSK-së e deri te ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë, kanë kaluar 20 vjet prej se e njoh dhe jemi shokë. Por, veprimtaria e tij është edhe më e hershme: ajo nis me Sylën si bashkëluftëtar i Komandantit legjendar Adem Jashari.”, ka shkruar Kurti.

Më 25 janar, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare, Sylejman Selimi është liruar me kusht. Selimi do të jetë nën mbikëqyrje të të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30.10. 2020.

Gjeneral Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015, duke u dënuar më 6 vjet burg. Ndërsa, më  7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”./21Media

Back to top button