Alergjia ndaj helmit të insekteve, simptomat dhe trajtimi

Alergjia ndaj insekteve shkaktohet kryesisht nga pickimet e insekteve të ndryshme. Për portalin rtv21.tv alergo-imunologia Dr. Luljeta Ahmetaj ka thënë se në rastin e alergjisë nga helmi i insekteve, zhvillohet një ënjtje në zonën e pickimit,  e cila zakonisht kruhet dhe skuqet.
“Nëse ju thumboheni nga bleta, një reagim normal përfshin dhimbje, ënjtje dhe skuqje rreth vendit të pickimit. Një reagim i madh lokal përfshin ënjtjen që shtrihet përtej vendit të pickimit. Për shembull, nëse jeni pickuar në kyçin e këmbës, mund të shihni ënjtje në këmbën tuaj. Reagimi më serioz ndaj pickimit të insekteve është ai alergjik, i cili kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, simptomat e një reaksioni alergjik ndaj pickimit të insekteve përfshijnë:
Vështirësi në frymëmarrje.
Urtika te gjeneralizuara(të përhapura) që shfaqen si një skuqje e kuqe, me kruarje që përhapet në zona të tjera përveç zonës që është pickuar.
Ënjtje e fytyrës, fytit ose indit të gojës.
Thithje ose vështirësi në gëlltitje.
Shqetësim dhe ankth.
Pulsi i shpejtë.
Marramendje ose një rënie e shpejtë e presionit të gjakut.
Ahmeti tutje ka thënë se nëse ndodh një ri pickim mund të shkaktojë një reagim serioz që mund të jetë kërcënues për jetën. Kështu sipas saj është më mirë të vizitohet një alergolog/imunolog.
“Një reaksion alergjik trajtohet me epinefrinë (adrenalinë). Nëse keni pasur një reaksion alergjik ndaj pickimit të bletës, vizitoni një alergolog/imunolog të certifikuar nga bordi për të bërë një test të lëkurës dhe/ose gjaku për të konfirmuar alergjinë tuaj ndaj helmit të bletës. Imunoterapia e helmit rekomandohet nëse konfirmohet alergjia ndaj helmit. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e mundësisë që një ri- pickim të shkaktojë një reagim serioz”, ka shtuar tutje Ahmeti.
Njerëzit me alergji nga pickimi i insekteve duhet të shmangin situatat në të cilat mund të kafshohen./21Media

Back to top button