​Aliti për Lojërat Mesdhetare: Ia dëshmuam botës fuqinë tonë

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti e ka cilësuar si fitore historike që dëshmon fuqinë e Kosovës në sytë e botës faktin që kanë arritur ta marrin organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Aliti ka thënë se kjo nuk është fitore vetëm për Komitetin Olimpik dhe sportin, por për të gjithë Kosovën.

“Ia kemi dëshmuar gjithë botës se jemi një shtet i fuqishëm në sport dhe i gatshëm për të qenë organizator i një ngjarjes multisportive. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, sepse fuqinë e një Komiteti Olimpik apo një organizate sportive e tregon pikërisht gatishmëria, mbështetja e organeve qeveritare për ta organizuar një ngjarje multisportive…Po ndihem ekstrem krenar dhe i emocionuar jo vetëm për komitetin, kjo është fitore për të gjithë shqiptarët”, tha Aliti.

Aliti shtoi se Qeveria e Kosovës do të jetë bartësja kryesore në mbarëvajtjen e këtyre lojërave në Kosovë.

“Absolutisht po, ne i kemi garancionet e të gjitha institucioneve, jo vetëm që i kemi garancionet, por pikërisht qeveria me ministritë e veta, komunat dhe Komiteti Olimpik janë pjesa përbërëse organizative kështu që jo vetëm që presim mbështetje, por presim që ata të jenë pjesë kyçe e komitetit organizativ i cili ka për të organizuar, për të planifikuar fillimisht dhe pastaj për të zbatuar Lojërat Mesdhetare me infrastrukturën përcjellëse”, theksoi Ailiti.

Madje Sekretari i KOK ut u shpreh shumë i bindur edhe optimist.

“Po mos të isha optimistë, nuk do të isha sot këtu”, tha shkurt Aliti.

Ndryshe, të shtunën, në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Kosova mori të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 me 55 vota për, tetë kundër dhe tri abstenime./kLojërat Mesdhetare

Back to top button