Aliu mungon në debatin zgjedhor, kundërkandiatët: Pse po fshihesh? E ke dorëzuar bajrakun para zgjedhjeve

Në debatin e sontëm zgjedhor në RTV21 ku kandidatët për kryetar të komunës së Ferizajt po shpalosin programin e tyre, nuk është i pranishëm kandidati i PDK-së, Agim Aliu, njëherësh edhe kryetar i Ferizajt.

Ai mungesën e ka arsyetuar me agjendën e ngjeshur.

E lidhur me këtë, kandidati i LVV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, kur u pyet se për çfarë arsye mendon se mungon Aliu, tha se i njëjti ka kohë që ka abstenuar nga pozita e kryetarit të Komunës.

“Ka kohë që nuk merr pjesë në seancat e Kuvendit Komunal, seancat që mbahen njëherë në muaj. Nëse ndalemi dhe e shikojmë historikun e katër seancave të fundit, afërsisht janë mbajtur 48 seanca gjatë 4-vjeçarit të kaluar dhe mund të them se kryetari në ikje në 6 prej tyre ka marrë pjesë, atëherë kur ka qenë kalimi i buxhetit në dhjetor, do të thotë një injorancë totale ndaj Kuvendit Komunal, një injorancë totale ndaj votuesve sepse ka për obligim që t’u përgjigjet, të jetë transparent për besimin e qytetarëve që e ka marrë dhe të jetë këtu dhe të tregojë për të arriturat nëse ka pasur, ose planet që ka. Kështu që kjo flet shumë, sepse ai është dorëzuar ende pa u futur në garën zgjedhore të vitit 2025. Ai e ka dorëzuar bajrakun, kështu që qytetarët le ta shohin se çka të bëjnë pas pushtetit 8-vjeçar”, tha ai.

Derisa kandidatja e AAK-së për kryetare të Ferizajt, njëherësh edhe pjesë e koalicionit qeverisës aktual në komunë, Xhemile Murati Shabani, kur u pyet se a është i papërgjegjshëm tha se konsideron se me Aliun kanë bashkëpunuar mirë.

“Ndërsa sa i përket çështjes së zhvillimit të temave të ndryshme kemi menduar ndryshe, gjë që është normale, por kemi qëndruar dhe bashkëpunuar mirë. Mirëpo megjithatë tani e përfaqësoj AAK-në, mirëpo nuk mund të jap përgjigje por dua të besoj në përgjigjen që iu ka dhënë ai, sepse nuk mbaj përgjegjësi për asnjërin prej kandidatëve, mbaj përgjegjësi vetëm për veten”, tha ajo.

Në anën tjetër, kandidati i LDK-së, Visar Azemi, u pyet a e ka të sigurt Agim Aliu fitoren pse nuk ka ardhur në debat, u përgjigj:

“Me të thënë të drejtën, arroganca edhe mendja e madhe ta thyen qafën. Pse kryetari duhet me u fsheh, mos me iu dalë dhe mos me iu tregu votuesve të vet. Unë e kisha pyet kryetarin pse po fshihet?”, tha ai./21Media

Back to top button