Aliu: Në Beograd e kam bërë të qartë se do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës-Prishtinë
Ndërtimi i autostradës Prizren-Tetovë, ka përplasur deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka pyetur ministrin Aliu se pse është më me prioritet kjo autostradë sesa ajo e Dukagjinit dhe derisa nuk kanë përfunduar autostrada për Gjilan, Mitrovicë e Podujevë.
“Ju është miratuar kërkesa juaj për ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë, ku qeveria ka ndarë 150 milionë për këtë autostradë. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të kësaj autostrade, por duke e ditur se ne kemi autostradë për Shkup, ndërsa ju si LVV keni kundërshtuar autostradën e Dukagjinit, ende nuk kemi autostradë që lidh Prishtinën me Gjakovën, Prishtinën me Pejën dhe nuk janë përfunduar autostradat për Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë. A mund të na e sqaroni pse është prioritet i kësaj qeverie ndërtimi i kësaj autostrade”, tha ajo.
Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, tha se përpos që lidh Prizrenin me Tetovën, krijon edhe mundësi të zhvillimit ekonomik për zonën ku është parku nacional.
“Rruga Prizren-Tetovë përpos që i lidh Prizrenin e Tetovën, përpos që krijon mundësi të zhvillimit ekonomik për zonën që është në të dy anët e parkut nacional ku zhvillimi ekonomik në fushën e turizmit dimëror dhe malor do të mund të bënte lidhje, ka edhe një tjetër aspekt tejet të rëndësishëm e që del edhe nga studimi i fizibilitetit që është bërë e që lidh Rrugën e Kombit, autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Tiranën e lidh me korridorin 8. Pra, përpos një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në pjesën jugore të Kosovës do të mund të lidhen me Shkupin përmes Tetovës në mënyrë shumë më të shpejtë, po ashtu një pjesë e madhe e udhëtarëve apo transportit nga Republika e Shqipërisë pjesa veriore e saj me Shkupin. Rrjedhimisht është studimi i fizibilitetit mjaftë i qartë i cili përpos që e përcakton trasenë e përcakton edhe rëndësinë e kësaj”, tha Aliu.
Aliu tha se rruga Prishtinë-Pejë vazhdon të jetë prioritet i qeverisë dhe se këtë tha se do ta bëjnë. Ai tha se kanë ndal vetëm shpronësimet dhe pasi të bëhet rivlerësimi do të vazhdojë ky projekt.
Kreu i Infrastrukturës, tha se për vitin e ardhshëm është buxheti për modernizimin e hekurudhës aktuale Prishtinë-Pejë.
Deputetja e AKK-së, Time Kadrijaj, ka vazhduar me pyetje për ministrin Aliu, sa i përket vizitës së tij në Beograd.
Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, tha se atje e ka bërë të qartë se do të ndërtohet hekurudha Durrës-Prishtinë.
“Në Beograd ua kam bërë të qartë që do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe pa e bë hekurudhën Durrës-Prishtinë nuk ka asnjë lloj lidhje tjetër me Serbinë, e para. E dyta, edhe me Republikën e Malit të Zi e kemi diskutuar shumë qartë që do ta bëjmë Deçan-Plavë pavarësisht që nuk ka pasur marrëveshje nga ju përpara”, tha ai.