Ambasada amerikane mirëpret bartjen e pushtetit në veri: Presim bashkëpunim paqësor të vazhdueshëm

Kryetarët e rinj serbë të katër komunave veriore të Kosovës morën detyrën dje në një ceremoni të qetë, duke përfshirë praninë e simboleve shtetërore. Ngjarja u mirëprit nga ambasadat amerikane, gjermane, britanike dhe Zyra e BE-së, që e konsideruan si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe bashkëpunimit paqësor në rajon.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit dhe shpresojmë të shohim vazhdimin e bashkëpunimit paqësor”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane për Express.
Kalimi i qetë dhe pa probleme i pushtetit atje u mirëprit edhe nga Zyra e BE-së, ambasada gjermane dhe ajo britanike.
“BE-ja në Kosovë mirëpret dorëzimin pa probleme të qeverisjes komunale, duke përfshirë edhe 4 komunat veriore. Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, tha Zyra e BE-së në një postim në Facebook.
Ndërkaq, ambasada gjermane tha se kjo ngjarje i shërben shtensionimit të mëtejmë të situatës – një kërkesë kjo e vazhdueshme Bashkimit Europian ndaj Kosovës për deeskalim të plotë të situatës në veri.
“Na vjen mirë të shohim një tranzicion të qetë dhe të rregullt të qeverisjes komunale sot. Kjo përbën një sinjal të rëndësishëm të shtensionimit të mëtejshëm në veri”, tha ambasada gjermane në një përgjigje dje.
Së fundi pati raportime për diskutime të brendshme brenda Bashkimit Europian se heqja e plotë e masave ndëshkuese të bllokut ndaj Kosovës lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si bëhet transferi i pushtetit në komunat veriore.
Komunat veriore deri më tani u udhëhoqën me kryetarë shqiptarë që nga maji i 2023-ës pasi kryetarët e Listës Srpska kishin dhënë dorëheqjen e tyre në nëntor të 2022-ës në shenjë revolte për vendimet e atëhershme të Qeverisë së Kosovës.
Për shkak të tensioneve që u pasuan kur kryetarët shqiptarë u vendosën në krye të këtyre komunave, BE e ndëshkoi Kosovën me masa.
Por, pas qetësimit të situatës atje, Unioni filloi t’i heqë masat gradualisht në maj të këtij viti, duke insistuar për shtensionim të plotë.
Dje Milan Radojeviq mori postin në krye në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në atë të Leposaviqit, Dragisha Milloviq në atë Zveçanit dhe Millosh Peroviq në atë Zubin Potokit.