Ambasada amerikane: Shkarkimet e nxituara të njëanshme dëmtojnë institucionet publike
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Ambasada ka thënë se shkarkimi i bordit do të duhet të bëhen me prova transparente dhe jo me justifikime të pakta.
Sipas Ambasadës amerikane, këto shkarkime dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet.
“Ditën e djeshme, Kuvendi shkarkoi anëtarët e një bordi tjetër mbikëqyrës publik me një justifikim të pakët. Ndërsa kosovarët meritojnë përgjegjësi, shkarkimet duhet të bazohen në prova transparente ashtu si emërimet duhet të bazohen në merita. Shkarkimet e njëanshme të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore. Reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të qëllimshme, metodike duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”, thuhet në reagimin e Ambasadës në Facebook.
Kuvendi i Kosovës të enjten ka shkarkuar bordin e RTK-së.
Fillimisht është shkarkuar anëtari i bordit Sali Bashota me 64 vota për. Pas tij janë shkarkuar poashtu me 64 vota për, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyqi , Albinot Maloku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari. Ndërsa Bajram Mjeku u shkarkua me 63 vota për./21Media