Ambasada Britanike reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit

“Dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog”

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e ka quajtur “trillim të William Walkerit”.

Në reagim, Ambasada Britanike thekson se mbështet deklaratat e BE-së dhe UNMIK-ut të cilët kanë kërkuar që të balancohet liria e shprehjes me përgjegjësinë politik.

“Përfaqësuesit nga të gjitha palët kanë përgjegjësi që të përmbahen nga retorika e dëmshme dhe provokative, që është mosrespektuese ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, dhe dëmton mundësitë për pajtim dhe kthimin në dialog”, thuhet në reagimin e Ambasadës në Facebook,

Tutje në reagim thuhet që presin që institucionet gjyqësore në Prishtinë do të ndjekin procesin e duhur në trajtimin e të gjitha çështjeve në mënyrë transparente, pa paragjykime etnike.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

Pas kësaj deklarate të Vuçiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.

Edhe Ambasada e Zvicrës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare kanë dënuar deklaratën e Vuçiqit për Masakrën e Reçakut.

Back to top button