Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

Ambasada e Kosovës në Kroaci ka bërë të ditur se pas një kërkese të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës u bë i mundshëm fluturimi i mbrëmshëm Riad-Prishtinë për riatdhesimi e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Arabia Saudite.
Ambasada, mes tjerash, bën të ditur se kërkesa ishte drejtuar përmes kanaleve diplomatike, ndërsa operacioni u organizua dhe u realizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera të vendit.
“Republika e Kosovës edhe një herë dëshmoi se bashkëpunimi ndërmjet shteteve në rajon është thelbësor në tejkalimin e vështirësive që mund të kenë qytetarët e vendeve në rajonin tonë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, falënderon institucionet e përfshira dhe të gjithë ata që kontribuan, për përgjigjen e shpejtë dhe efikasitetin e treguar”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se mbrëmë Dukagjini ekskluzivisht raportoi se MPJD-ja ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt Prishtinës.
Mes tjerash, ish-kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH), Mustafa Cerić, ka reaguar lidhur me riatdhesimin e qytetarëve boshnjakë nga Riadi përmes Prishtinës, operacion i organizuar nga Republika e Kosovës.
Në një koment publik, Cerić e cilësoi këtë operacion jo vetëm si një veprim humanitar, por edhe si një mesazh politik dhe moral për mënyrën se si funksionojnë shtetet dhe institucionet.